Nga Flamur Vezaj

Në media tashmë prej kohësh po flitet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, pra cili do të jetë zvendësuesi i Llalës.

Por ka dhe zëra se Llalla mundet të rrijë dhe disa kohë në detyrë, pasi ka arritur me sukses të bëjë “qokat” e fundit për politikën tonë, qofshin ata të majtë, të djathë apo të LSI-së.E çfarë i ka dhënë Llalla Prokurorisë Shqiptare, këto 5 (pesë) vite të detyrës së tij, që të meritojë zgjatje të mandatit…

Asgjë skemi parë, përveç premtimeve dhe shantazheve që çdo shtator do ketë arrestime të bujshme.

Dhe shqiptarët e lodhur, të papunë, me jetesë nën nivelin normal, presin arrestimet e mëdha që do ndryshojnë historinë…

Histori politikanësh të përfshira në tendera, koncesione, afera korruptive, lëndë narkotike me mbështetje të grupeve të fuqishme kriminale janë present në faqet e para të gazetave.Madje të mos bëjmë çudi nëse ndonjëri nga grupet kriminale bëhet garant tek të treja partitë që LLalla nuk do i trazojë, e për pasojë do të vazhdojë të rrijë në detyrë… E megjithatë në këtë shkrim nuk do merrem me analizën e punës së Llallës, që e ka bërë prokurorinë sic ka mbiemrin, por me faktin sesi do zgjidhet Prokurori i Përkohshëm pasi shpresoj që ka ardhur koha për të ndryshuar shumë gjëra.

Ditët e fundit janë përfolur dhe janë përmendur edhe emra konkretë për kandidatë të mundshëm për Prokuror të Përgjithshëm. Këta emra të artikuluar nga “xhaketat e vjetra” të drejtësisë janë konsideruar si potencialë referuar kushteve ligjore dhe kritereve profesionale dhe morale që duhet të plotësojë kandidati për Prokuror të Përgjithshëm.

Por, krahas kësaj “servirje” që na bëhet për emrat e mundshëm të kandidatëve çfarë parashikohet për kushtet dhe kriteret që duhet të përmbushë një kandidat për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm?!

Në nenin 148/a/3  të Kushtetutës është përcaktuar:  “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.”

Në këtë nen Kushtetues janë përcaktuar saktë të gjitha kriteret të cilat minimalisht duhet t’i plotësojë çdo kandidat për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm (pavarësisht nëse do të jetë i përkohshëm apo me mandat të plotë).

Ndërsa përsa i përket rastit kur Prokurorit të Përgjithshëm i përfundon mandati përpara se të krijohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë atëherë “funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, i caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji” – përcakton neni 109/3 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Nga parashikimi në Kushtetutë por dhe në ligjin organik, janë përcaktuar kriteret që duhet të plotësojë kandidati që duhet zgjedhur prokuror i përkohshëm.

Sipas kushtetutës ky kandidat duhet të jetë:

– jo më pak se 15 vjet jurist i spikatur,

– të ketë përfunduar shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore,

– të ketë figurë të pastër morale dhe profesinale,

– të mos ketë mbajtur funksione politike dhe të mos ketë qënë anëtar partie ose i angazhuar politikisht 10 vitet e fundit.

Ndërkohë në ligjin organik parashikohet që kandidati duhet të zgjidhet nga radhët e prokurorëve me eksperiencë në punë. Pra, ajo që ha diskutim është se çfarë do të konsiderohet jurist i spikatur, dhe me figurë të pastër etike dhe profesionale. E normalisht të gjithë biem dakord për brezin e juristëve magjistratë të cilët kanë kualifikimin e duhur për të qënë në një post të tillë dhe që përmbushin dhe kriterin tjetër që lidhet me profesionalizmin duke qënë se magjistratët duhet të kenë mesataren mbi tetë në fakultet, për të kandiduar në Shkollën e Magjistraturës.

Janë të njohura më së miri rezultatet që kemi marrë, nga kurset 6-mujore të plepave, nga shkolla me korrespondencë, apo kalimet ‘dashamirëse’ nga polic në prokuror, kështu që derisa Shkolla e Magjistraturës ka pjesë të saj, grupin më të mirë të mësimdhënësve dhe profesionistëve në vend, nga aty duhet të dalin edhe Kandidatët më potencialë për Prokuror të Përgjithshëm, qofshin ata dhe të përkohshëm. Por si për ironi, po tentohet shpesh herë nga “xhaketat e vjetra” të cilët e kanë të njohur lidhjen e tyre afektive me ish-sigurimin e shtetit, që Prokurori i Përgjithshëm duhet të jetë më i vjetri në profesion.

Ky qëndrim i mbajtur prej tyre është absurd dhe me prapavijë të mbrojtjes së interesave të tyre. Kushtetuta flet qartë e cila thotë se mund të zgjidhet çdo person mjafton që të ketë përfunduar drejtësi përpara 15 (pesëmbëdhjetë) ose më shumë vitesh, dhe të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose të ketë një gradë shkencore.

Në këtë kontekst çdo përpjekje për të devijuar nga ky parashikim kushtetues përbën dukshëm mbrojtje të interesave të politikanëve, fshehje vullneti për reformë në drejtësi ndryshe nga çfarë trumbetohet çdo ditë nëpër media. Çfarë etaloni do të përdorë Kuvendi në rastin konkret për të zgjedhur Prokurorin e Përkohshëm?! Kush do të jetë vlerësuesi në lidhje me kandidatin që i plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore?!

Të gjitha këto pikëpyetje vijnë natyrshëm në këtë prag zgjedhjeje të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, dhe mosbërja e asnjë lëvizjeje nga Kuvendi për rastin, vë në dyshim shumë gjëra, edhe hetimin e Tahirit, edhe hetimin e Dakos apo dhe kapjen e peshqëve të mëdhenj siç ka filluar të shprehet së fundmi Donald Lu-ja. E gjithë kjo situatë e paqartë të bën të mendosh se politika jonë në tërësi po bien në ujdi që peshqit e mëdhenj të mos kapen kurrë.

Dhe këtë ujdi më së miri e kanë shkrirë talentin për ta gjetur tek Adriatik Llalla, i cili minimalisht nuk plotëson as kriterin moral dhe jo më atë profesional, dhe nga ana tjetër është ky kryeprokuror që e ka bërë prokurorinë si kazanin e vet, të personalizuar dhe që e përdor sa herë ti teket për të shantazhuar të njëjtët politikanë, apo duke promovuar në shumë raste shokët e tij, miqtë me të cilët ka “punuar” me favore të drejtësisë personale.

Faksimile e dekretit te ish-presidentit Nishani qe mandantonte Llallen kryeprokuror ne 2012

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here