Kriteret dhe kushtet që duhen plotësuar
Të gjithë shqiptarët mbi 18 vjeç, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme apo nuk kanë të ardhura fare për të jetuar, apo që janë prekur nga fatkeqësi natyrore, siç janë edhe përmbytjet e fundit, mund të paraqiten pranë njësive vendore të vendbanimit të tyre për të përfituar një nga programet sociale të strehimit.

Programet sociale përfshijnë banesat sociale me qira, banesat me kosto të ulët, banesat e përkohshme, banesa të specializuara etj., ku familjarët apo individët nëse nuk kualifikohen në njërin program mund të përfitojnë në një program tjetër, por nuk mundet të përfitojnë më shumë se një program.

Rregulli për të aplikuar është dorëzimi në bashki i kërkesës për programin social të strehimit, e cila sigurohet me shpenzimet e vetë zyrës së njësisë vendore.

Më pas, kontrata e qirasë lidhet ndërmjet pronarit të banesës dhe përfituesit kur këtij të fundit i vërtetohen disa të ardhura, dhe në rast se përfituesi është pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, shpenzimet për lidhjen e kontratës përballohen nga bashkia e zonës ku ai jeton.

Kushtet për aplikim
Përveç të ardhurave, individët duhet të plotësojnë disa kushte për të përfituar një nga programet sociale të strehimit. Së pari nuk duhet të kenë në pronësi asnjë banesë. Gjithashtu, mund të aplikojnë nëse kanë mbetur të pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore, i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë, i zhvendosjeve për shkak të investimeve publike apo nga banesat e përjashtuara nga procesi i legalizimeve.

Mund të përfitojnë një strehim social edhe familjet që kanë një banesë të vjetër në rrezik shembjeje ose ata që kanë banesë në rikonstruksion, për shkak të vjetërsisë së saj. Edhe shtetasit e huaj, me qëndrim të rregullt në Shqipëri me statusin si ‘punëtor emigrant’ apo ‘azilkërkues’ mund të përfitojë nga programet e strehimit social.

Kriteret e përzgjedhjes
Punonjësit e njësive vendore bazohen në katër kritere në përzgjedhjen e individëve apo familjarëve për të përfituar një nga programet sociale të strehimit. Do të kenë përparësi individët, të cilët plotësojnë kushtet e strehimit, kushtet familjare, kushtet sociale dhe kushtet ekonomike.

Në kushtet familjare janë të favorizuar familjet një prindërore që kanë në kujdes fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që s’përzgjidhen për t’u strehuar në azile publike; familjet me më shumë se katër fëmijë; bashkëshortët, deri në moshën 60 vjeç.

Në kushtet sociale kanë përparësi personat me aftësi të kufizuara; jetimët që nga momenti i daljes nga jetimoret dhe deri në 30 vjeç; familjet e mbetura të pastreha pasi u kanë liruar banesat ish-pronarëve; emigrantët e rikthyer dhe azilkërkuesit; familjet e policëve të rënë në detyrë; punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë; punonjësit e RENEA-s; viktimat e dhunës në familje apo të trafikimit; anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian; të miturit në konflikt me ligjin, si dhe individët nga komuniteti GAY. Si përfundim, kushtet ekonomike përcaktohen familjet sipas grupit të të ardhurave.

Sanksionet për shkelje
Në rast të përfitimit të njërit prej programeve të strehimit, bazuar në deklarime të rreme ose në mosdeklarim të ndryshimit të kushteve për të cilat ka përfituar nga programet e strehimit, përfituesi detyrohet të kthejë shumën e përfituar padrejtësisht si dhe dënohet me gjobë, në shumën 40 000 lekë.

Gjithashtu, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore gjobitet me 10 000 lekë për çdo ditë vonesë, për shkelje të afatit të përcaktuar sipas nenit 60, për strehimin e përkohshëm, dhe për shkelje të afatit lidhur me çdo individ të shpërngulur.

Rregulla për aplikimin në programet sociale të strehimit
1. Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit.

2. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit, sipas formatit të miratuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë.

3. Dokumentacioni për të përfituar strehim sipas çdo programi, afatet dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Programet sociale të strehimit:
1. Programi i banesave sociale me qira;

2. Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;

3. Programi i banesave me kosto të ulët;

4. Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;

5. Programi për krijimin e banesave të përkohshme;

6. Programi i banesave të specializuara.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve:
Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përzgjedhjen e individëve/familjeve përfituese, bazohen në kriteret e mëposhtme:

a) Kushtet e strehimit, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi familjet që:

i. nuk disponojnë banesë në pronësi;

ii. banojnë në banesa që paraqesin rrezik shembjeje;

iii. banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi;

iv. kanë mbetur ose rrezikojnë të mbeten të pastreha, si rezultat i fatkeqësive natyrore;

v. familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor.

b) Kushtet familjare, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. familjet një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat-nëna;

ii. të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore;

iii. familjet me më shumë se katër fëmijë;

iv. bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.

c) Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;

ii. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;

iii. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;

iv. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;

v. familjet e policëve të rënë në detyrë;

vi. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);

vii. punonjësit e repartit RENEA;

viii. viktimat e dhunës në familje;

ix. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

x. anëtarët e komunitetit rom;

xi. anëtarë të komunitetit egjiptian;

xii. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;

xiii. vajzat nëna;

xiv. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.

ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here