Doni të punoni në Kryeministri? Nxitoni, DAP hap vende të lira të pune, 665 pozicione nga jashtë shërbimit civil

0

Departamenti i Administratës Publike ka shpallur vendet e para të lira për punë. Pak ditë më parë, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria bëri të ditur se gjatë vitit 2018 do të ketë 1073 vende të lira pune. Ndërkohë, në kuadër të këtij vendimi qeveritar, ka qenë vetë drejtoresha e DAP, Albana Koçiu që gjatë një interviste televizive ka deklaruar se gjatë gjithë vitit do të jenë 665 pozicione të lira të nivelit ekzekutiv për të interesuarit jashtë shërbimit civil. Ndërkaq, ditën e djeshme është bërë edhe shpallja e parë e vendeve të lira të punë. Sipas shpalljes së DAP, fillimisht janë hapur 15 vende të lira nga jashtë sistemit, ndërsa janë shpallur dhjetra vende brenda shërbimit. “Departamenti i Administratës Publike shpall Procedurën e Pranimit të Drejtpërdrejtë në trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues (TND). Numri i pozicioneve të TND për të cilat do të konkurrohet është 15”, thuhet në njoftimin e DAP. Mirëpo duhet theksuar fakti se prioritet për këto 15 vende të lira të shpallura kanë fillimisht personat që punojnë brenda shërbimit civil e më pas ata që vijnë jashtë shërbimit civil.

Afati për aplikimet

Ndërkohë, në shpalljen e publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike është caktuar edhe afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve, që është data 6 shkurt 2018. Po ashtu, aty është bërë edhe një përshkrim përgjithësues i punës. “Përgjegjës për: formulimin e politikave dhe këshillimin e tyre; përcaktimin e objektivave dhe formulimin e programeve, standardeve dhe procedurave përkatëse për zbatim; sigurimin e përdorimit eficent të burimeve materiale, njerëzore dhe financiare të nevojshme për realizimin e programeve dhe arritjen e objektivave; planifikimin dhe drejtimin e veprimtarisë së përditshme administrative të institucionit dhe përfaqësimin e tij në takime dhe forume brenda dhe jashtë vendit”, shpjegohet në njoftim. Për këto 15 vende të lira pune, kanë të drejtë të kandidojnë tri kategori: nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese me të paktën 1 vit përvojë pune, nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues në institucionet e pavarura me të paktën 1 vit përvojë pune dhe kandidatët nga jashtë shërbimit civil.

Postet për të cilët aplikohet

Sakaq, në shpalljen e DAP janë listuar edhe të gjitha pozicionet për të cilët të interesuarit mund të dorëzojnë aplikimet e tyre. Më konkretisht, disa nga vendet e lira të punës janë:  drejtor Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; drejtor i Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës; drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Elbasan; drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier; përgjegjës i sektorit të burimeve njerëzore në Drejtorinë Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (Agjencia e Pagesave), etj. Por interesant është fakti se vende të lira pune ka edhe në Kryeministri. Ndër to mund të përmendim: koordinator në njësinë e legjislacionit dhe akteve rregullatore, në Departamentin Rregullator dhe të Përputhshmërisë në Kryeministri apo edhe jurist në njësinë e legjislacionit dhe akteve rregullatore në Departamentin Rregullator dhe të Përputhshmërisë në Kryeministri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here