Hapet gara në Gjykatën Kushtetuese – Afatet dhe kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët

0

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se ka hapur sot zyrtarisht aplikimet për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese. Njoftimi i publikuar edhe në faqen zyrtare të Kuvendit përfshin kushtet që duhet të plotësojë çdo kandidat.

“Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “b” dhe 179, pika 2, të Kushtetutës, dhe në nenet 7, 7/a 7/c dhe 86, pika 4, shkronja “a”, të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me qëllim plotësimin e “vakancës së dytë” të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit të kësaj gjykate, z. Vladimir Kristo, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese“, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kushtet

Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

-të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

-të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

-të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

-të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

-të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

-të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

-të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

-të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

-të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:

-Vjetërsisë në profesion;

-Përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;

-Kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

-Treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

-Ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;

-Informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

-Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;

-Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);

-Fotokopje të kartës së identitetit;

-Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

-Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

-Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 15 mars 2018.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here