Vti 1946/ Gjendja e refugjatëve çamë në Shqipëri, pas dëbimit prej grekëve

0

Shtetasit grekë me kombësi shqiptare, të dëbuar në vitin 1944 nga Greqia në Shqipëri nëpërmjet një spastrimi etnik (që është kulmi i një keqtrajtimi sistematik nga shteti grek në vitet 1912-1944) përbënin një komunitet që luhatej midis 18-20 mijë personash. Vdekshmëria e lartë në vitet 1944-1945 nuk ka mundësuar një shifër të saktë të kësaj popullsie, e cila u trajtua me strehim, veshmbathje dhe ushqim nga personeli i UNRRA-s (Administrata e OKB-së për ndihmë dhe rimëkëmbje) në Shqipëri. UNRRA nuk ka mbështetur e trajtuar në asnjë rast “kolaboracionistë”, por të persekutuarit gjatë luftës nga fashizmi e nazizmi. Studjuesi Kastriot Dervishi thotë se një informacion i datës 19.10.1946 i Komisionit të Kontrollit të Shtetit bën të ditur gjendjen e çamëve deri këtë kohë në Shqipëri. Në mënyrë shumë të shkurtuar, më poshtë jepen disa fakte nga ky raport. 1-Numri i çamëve Të dhënat rreth numrit të popullsisë çame lëvizin, por përafërsisht ato janë të kuptueshme. Sipas një statistike të Komitetit Antifashist Çam në tiranë, në qershor 1946 numri i çamëve ka qenë 19.755. Në shtator 1946 u bë regjistrimi i gjithë shtetasve të huaj. Çamët rezultuan në këto shifra, sipas prefekturave: -Gjirokastra, 2524 -Vlora, 4830 -Berati, 2002 -Durrësi, 5221 -Elbasani, 1460 -Tirana, 981 -Shkodra, 75 Gjithsej 17.093 Diferencat besohet se i takojnë vdekjeve nga kushtet e vështira të banimit. 2-Gjendja politike Duke qenë të diskriminuar nga shtetit grek për 32 vjet (iu mohohej arsimi në gjuhën amtare), paraqiteshin në masën 97% analfabetë. Ishin tërësisht apolitikë. Nuk i njihnin grupet politike të luftës në Greqi dhe as e bënin dallimin midis tyre. Në këtë mënyrë, teza e bashkëpunimit “nazist” të kësaj popullsie civile është tërësisht e gabuar dhe nuk i përgjigjet asnjë realiteti. 3-Gjendja ekonomike Shumica e popullsisë është larguar nga Çamëria me pak rroba e ndonjë sasi të pakët florinjsh. Pak familje mundën të marrin bagëtitë me vete. Në Shqipëri ata punonin në bujqësi me kulturat e ullirit, portokalle, blegtori dhe tregti. Megjithatë, popullsia paraqitej shumë punëtore dhe e përshtatshme për t’i qëndruar vështirësive. “Për t’u shënuar është fakti se nuk shihet asnjë çam, qoftë burrë, grua ose i vogël që të shtrijë dorën për të lypur lëmoshë”-thuhet në raport. 4-Banesat Një pjesë e popullsisë ishin sistemuar në çadra të sjella nga UNRRA. Rreth 270 familje në Gostimë, Berat, Fier, Vlorë, Kavajë dhe Shijak gjendeshin në çadra. 600 familje banonin në qytete në kazerma dhe shtëpi të prishura pa porta e pa xhama 5-Gjendja shëndetësore Nga banesat e papërshtatshme, mungesa e rrobave të veshjes e fjetjes, si dhe nga ushqimi i dobët, kishte pasur shumë sëmundshmëri dhe vdekshmëri, në masën 15% gjatë vitit 1945. Në raport thuhej se nisur nga gjendja në Greqi nuk shpresohej riatdhesimi i tyre, e për këtë sugjerohej vendosja në toka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here