Manastirliu: Jo më rikomision për pagesën e aftësisë së kufizuar

0

Në ditën ndërkombëtare të autizmit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli për zgjerim të shërbimeve në qendrat që trajtojnë fëmijët me çrregullime të spektrit autik. Manastirliu tha gjithashtu se personat me autizëm nuk do t’i nënshtrohen më rikomisionimit të përvitshëm për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar.

Një fëmije autik nuk do t’i duhet më që çdo vit të dalë përpara Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar. Kjo procedurë është hequr. Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në ditën ndërkombëtare të autizmit.

Ogerta Manastirliu: “Për personat me autizëm nuk ka më rikomisionim të përvitshëm dhe kjo është një lehtësi e madhe për qindra prindër që çdo vit bashkë me fëmijët e tyre, që edhe ata duhet të paraqiteshin në komisione, kalonin një kalvar të vërtetë mundimesh”.

Në vendin tonë janë 860 persona me autizëm që marrin një pagesë prej 10 mijë lekë në muaj. Po të njëjtën masë përfitojne edhe kujdestarët e tyre.

Ministrja e Shëndetësisë ishte në Qendrën Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve me probleme të neurozhvillimit, e cila trajton edhe fëmijët me çrregullime të spektrit autik.

Ogerta Manastirliu: “Në këtë ditë që na fton të gjithëve për më shumë vëmendje për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, jam këtu për të lajmëruar rehabilitimin e plotë të Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, e cila trajton rreth 330 fëmijë me autizëm në vit, nga të cilët 150 raste të reja të trajtuan në vitin 2017”.

Ministrja Manastirliu deklaroi se shërbimet do të zgjerohen jo vetëm në këtë qendër, por edhe në 6 qendrat rezidenciale dhe 3 qendrat ditore publike në Shqipëri, të cilat trajtojnë fëmijë me çrregullime të spektrit autik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here