Largimi surprizë, arsyet e rrëzimit të Hajdarmatajt, përplasjet me Arta Markun

0

Shkarkimi i Besim Hajdarmataj nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lidhet me një konflikt të lindur mes tij dhe kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Shkëndijat e para mes dy drejtuesve të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, kanë filluar në muajin shkurt 2018, kur në Maminas, Prokuroria drejtoi një operacion së bashku me Policinë e Shtetit, duke konfiskuar 613 kg kokakinë të fshehur në banana të ardhura nga Kolumbia.

Për këtë hetim mësohet se Arta Marku nuk ka pasur dijeni, për më tepër kryeprokurorja nuk është njoftuar në kohë nga Besim Hajdarmataj edhe pasi kishte finalizuar operacionin për bllokimin e drogës dhe arrestimin e dy personave të tjerë, dhe shpallur në kërkim pronarin Arbër Çekaj.

Mësohet se kryeprokurorja ka marrë dijeni për këtë operacion nga njoftimet në media të datës 28 shkurt 2018, ndërkohë që Hajdarmataj besohet se nuk e kishte informuar në kohë përpara. Besohet se që nga ky moment kryeprokurorja Marku ka filluar të humbë besimin për tek kreu i Krimeve të Rënda.

Për më tepër vetë Besim Hajdarmataj gjatë kohës kur drejtonte sektorin e trafiqeve tek Krimet e Rënda, vendosi të mbyllë në 2016 hetimet për Arbër Çekaj, pasi në bananet e këtij të fundit u kapën 93 kg kokainë.

Çështja Llalla e kolapsi i hetimit
Situata mosbesuese ndaj drejtuesit të prokurorisë së Krimeve të Rënda u bë akoma dhe më e dukshme, kur në këtë prokurori, mbërriti nga Durrësi dosja e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Presioni i Markut mbi Hajdarmataj ka qënë që çështja e Llallës të ketë përparësi më tepër dhe të hetohet deri në fund, duke konkluduar me një vendim përfundimtar. Por sërisht, edhe në këta rast drejtuesi i Krimeve të Rënda humbi besimin e kryeprokurores, pasi caktoi për hetimin e kësaj dosje, vetëm një prokuror.

Vetë Hajdarmataj ishte emëruar në 16 mars 2016 në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga ish-kryeprokurori Llalla, të cilin tashmë po e hetonte për katër vepra penale. Kjo dosje, e vuri Hajdarmataj në një situatë të pakëndshme dhe në një provë për të hetuar ish-shefin e tij Llalla, i cili e kishte promovuar menjëherë sapo kishte marrë mandatin e kryeprokurorit, duke e caktuar fillimisht drejtues në prokurorinë e Durrësit dhe më pas në krye të Krimeve të Rënda.

Çështja Llalla u kthye në vazhdimin e konfliktit të heshtur, konflikt i cili mund të ketë vijuar dhe me dosjen hetimore të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Një ditë para se të shkarkohej, Hajdarmataj së bashku me prokurorin tjetër të kësaj dosje, Vladimir Mara, kanë marrë në pyetje në ambjentet e prokurorisë shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Gentian Cekën.

Ndërkohë që një ditë para tij, morën në pyetje Orest Sotën, personin e arrestuar me 863 mijë euro në makinë. Tashmë Hajdarmataj do të vijojë të hetojë dosjen “Tahiri” por jo si drejtues prokurorie por si prokuror i thjeshtë.

d.co.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here