Shkodër, ekzekutohen në makinë ish-polici e bashkëjetuesja në sy të djalit 2-vjeçar

0

Krimi i dyfishtë trondit Shkodrën. Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë ekzekutuar me armë zjarri pak pas mesnate në qytetin e Shkodrës brenda në automjet. Skena e krimit tronditës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar. Dy viktimat janë Boran Bërcama, 30 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja Silvi Ndoci, 25-vjeçe, të cilët janë ekzekutuar me armë zjarri automatike e llojit “M5P”. 23 gëzhoja janë gjetur në vendin e krimit.

Ata janë gjetur të vrarë brenda në automjetin e tyre “Mercedes Benz” me targa AA 006 HA, poshtë apartamentit ku banonin me qira, në një rrugicë të ngushtë, në orët e para të kësaj të diele. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Naim Gjylbegu” e cila njihet si një lagje e qetë, ndërsa konstatimi i viktimave është bërë nga fqinjët rreth orës 06:00 të mëngjesit të cilët kanë njoftuar policinë. Dyshohet se autorët kanë organizuar gjithçka me paramendim, teksa kanë pritur çiftin deri pas mesnate që të mbërrinin pranë banesës, ku edhe i ekzekutuan.

Në krim besohet se kanë marrë pjesë vrasës profesionistë, të cilët janë kujdesur të mos lënë gjurmë në vendngjarje. Në automjet ka qenë bashkë me çiftin edhe djali i tyre 2-vjeçar, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa është gjetur në prehrin e nënës në vendin e parë të makinës. Automjeti tip “Benz” është gjetur i ndezur nga fqinjët në orët e para të mëngjesit. Edhe pas mbërritjes së policisë dhe grupit hetimor automjeti siç duket edhe nga pamjet ka qënë në gjendje pune. Ish-efektivi Boran Bërçama ka qenë i martuar më herët nga e cila është divorcuar rreth 5 vite më parë, për t’u lidhur më pas me Silvi Ndocin, nga e cila kanë edhe një djalë 2-vjeçar.

Ende nuk dihen motivet e ngjarjes ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 gëzhoja arme zjarri, sipas policisë, nga një armë automatike “MP5”, ndërsa një nga pistat ku po hetohet është edhe ajo për shkak të detyrës. Mesohet se Boran Bërcama është larguar nga detyra e punonjësit të policisë së Pukës në janar të këtij viti, pak përpara nisjes së Vettingut në radhët e uniformave blu.

Boran Bërçama nuk rezulton që të jetë i skeduar me probleme, ndërsa sipas të afërmve ai nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë. Pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti të djegur automjetin “Benz C Class” që dyshohet se është përdorur nga autorët, ku brenda u konstatua edhe arma e krimit, një armë zjarri automatike “MP5”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here